Megjithatë, do të bashkohen… ....(Nga Koço Danaj)

Posted by: TrusT in Untagged  on

…në një shtet të quajtur Shqipëri Natyrale.
Cilat janë ato fondamente që e bëjnë të pashmangshëm bashkimin e shqiptareve? Ja cilat janë:
E para: Ne rajonin e Ballkanit ka më shumë se një dekadë që fuqitë e mëdha, po riparojnë gabimet e së kaluarës. Ato gabime, para nje shekulli u realizuan me të drejtën e forcës.
Por duke qëne te tilla, krijuan nje rajon artificial me emrin Ballkan. Artificialiteti i rajonit solli me vone edhe emertimin politik Ballkani-fuçi baruti. Kush ishin këto krijesa artificiale?
Krijesat më artificiale të këtij rajoni ishin dy : Formimi i mbretërisë sërbo-kroato-sllovene, të quajtur më vonë Jugosllavi ishte krijesa e parë artificiale.
Dhe Shformimi i kombit shqiptar duke e pjestuar për pesë ishte krijesa e dytë artificiale e rajonit.
Ndërsa shformimi i Jugosllavise ishte hapi i pare i kalimit nga artificialiteti në natyralitet. Krijimi i 6 shteteve të përhershme dhe një shteti të përkohshem si Kosova eshte faza e parë e shndrrimit te rajonit të Ballkanit nga artificial ne natyral. Shpërbërja e dhunshme e saj që arriti kulmet në luftën ndëretnike në Bosnjë dhe në gjenocidin sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës spiegohet sa me karakterin ultranacionalist të shtetit sërb, aq edhe më sedrën e sëmurë politike të disa fuqive të mëdha, të cilat e patën të vështirë të pranonin se krijesa e tyre me emrin Jugosllavi ishte një dështim.
Faza e dytë eshte unifikimi i kombit shqiptar qe ka përbërë deri më sot artificialitetin e dyte madhor te rajonit. Kjo fazë tashme po përfundon aktin e parë madhor të saj që është shteti i përkohshëm shqiptar i Kosovës. Një Konferencë e tematikës Londër 2 apo Versajë 2 është domosdoshmëri për të ardhmen demokratike të rajonit. Ndërsa një konferencë e nivelit Dejton 2 apo Rambuje 2 vetëm se sa do të konsolidojë në mënyrë të kamufluar konfliktet në rajon.

E dyta : Europa e Bashkuar në themele të saj ka vlerat morale të çdo kombi, që të gjitha bashke përbëjnë ate që quhet Themeli i vetë bashkimit. Mëndësia politike dhe internacionaliste se relativizimi i kufijve është i barabartë me shuarjen e kombeve është sa mashtrues aq dhe vetëmashtrues. Sa më relative bëhen kufijtë, aq me të kultivuara bëhen vlerat kombëtare. E duke qënë kështu, shqiptarët nuk mund të pranohen si pjesë në familjen e madhe europiane dhe ndërkombëtare, sa kohë që vlerat e tyre kombëtare i kanë të shpërndara në pesë shtete. Europa e Bashkuar nuk antarson banorë, por popuj dhe kombe. Organizata Botërore është emërtuar Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe jo ndryshe.(Mëndje të ndritur do të ketë pasur ai që ka bërë formulimin e parë: Kombe të Bashkuara, Jo shtete te Bashkuara!!) Prandaj Shqipëria Natyrale është pikpamje dhe nocion europeist, para se të jetë nacionalist. Përbën një vlerë te madhe europiane toleranca fetare e shqiptarëve për Panteonin e vlerave të BE. Për më tepër sot, kur konfliktet ndërfetare po marrin përmasa të frikshme. Përbën një vlerë të rrallë për Bashkimin Europian fakti tashmë i njohur se shqiptarët në shumicë të madhe muslimanë janë euroamerikanë të lindur. Me miliona kristiane katolike apo ortodokse ne rajone te ndryshem te Europes apo botes, jane shume here me primitive
Se muslimanet shqiptare.
Dhe është në interesin e politikes euroamerikane që këtë vlerë kaq moderne ta ketë të unifikuar për arsyen e thjeshtë, sepse vetëm përbashkimi do ti rezistojë më mirë sa fondamentalizmit islamik, aq edhe fondamentalizmit kozmopolit. Eshtë edhe kjo një arsye madhore që politika euroamerikane eshte dakord me Shqiperine Natyrale.

E treta: Politika amerikane po e nxit me shumë finesë bashkimin shqiptar. Në cfarë mënyre? A e kini ndjekur me vëmëndje se cfarë po ndodh kohët e fundit në politikën dhe diplomacinë panshqiptare? Politikanëve shqiptare dhe veçanërisht atyre të Tiranës Politike po ju thuhet midis të tjerash se gjoja ka një shqetësim se ndoshta pas pavarsisë së saj Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë etj. Dhe natyrshem politika zyrtare deklaron se nuk do te këtë një gjë të tillë.
Por në çdo vend ka dy politika; një është zyrtare e cila ka kufizimet e saj. Dhe tjetra është politika reale e cila nuk ka dhe nuk duhet të ketë kufizime. Politika reale ploteson Politiken zyrtare. Politika zyrtare është politike pushteti. Politika reale është politikë publiku, politikë kombi. Dhe të dyja bashkë formojnë atë që quhet politika e shtetit.
Dmth, politika euroamerikane ka hapur «Kutinë e Pandorës». Ajo duket sikur thote: «Mire politika zyrtare, po politika reale shqiptare pse nuk flet, pse nuk e kërkon Shqipërinë Natyrale».
Ju kujtohet para disa viteve kur shtrohej problemi i pavarsisë së Kosovës. Aso kohe nocioni pavarsi ishte njësoj si të predikoje se Politika euroamerikane hapi Kutine e Pandores. Aso kohe politika zyrtare shqiptare e kishte të vështirë ta deklaronte hapur se ishte dakord me këtë pavarsi. Ajo ishte një politikë e ndrojtur. Por në fillim e artikuloi Politika reale dhe një pjese e politikës zyrtare. Tashmë ajo është politikë shtetërore.
Kështu do të ndodhë edhe me bashkimin shqiptar, me Shqipërinë Natyrale. Duke na porositur që të mos e pranojmë, politika euroamerikane e ka hapur «Kutinë e Pandorës» edhe për Shqipërinë Natyrale. Dhe përderisa e ka hapur, u takon shqiptareve, ta nxjerrim nga «Kutia» dhe ta shtrojnë për zgjidhje në tavolinën e dialogut demokratik. Vërtetësia e pohimit të mësipërm bëhet e plotë duke sjellë vetëm një fakt nga veprimtaria e Politikës Zyrtare të Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë ne seancën pyetje përgjigje të Asamblesë Vjetore të NATO në Reikavik të Islandës, në datë 9 Tetor 2007, në përgjigje të pyetjes se mos shteti shqiptar i Kosovës mund të çojë në krijimin e Shqipërisë së Madhe, u shpreh se: «Nëlidhje me ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndonjëherë pyes veten se çfarë do të bënim ne si shqiptarë. Nuk ishte vendimi ynë për t`u ndarë në 5 shtete të ndryshme, ishte një nga padrejtësitë më të mëdha dhe citoj Robin Kuk, i cili u shpreh në Dhomën e Deputetëve të Mbretërisë së Bashkuar se Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar . ....
....Askush nuk duhet të trembet nga dy shtete shqiptare, dy miq të rinj në rajon. Mendoj se kjo është një gjë e mirë edhe për NATO-n.»
Fillimisht mjafton edhe kaq….
Bashkimi Shqiptar sapo ka filluar edhe zyrtarisht. Viti 2008 do ta shtroje per diskutim dhe zgjidhje
ne Bruksel dhe Uashington


E katërta: Pluralizmi në hapsiren mbare shqiptare, per arsye nga me te ndryshmet fillimisht u kultivua si Pluralizem Krahinor. Dhe thelbi i këtij lloj pluralizmi nuk ishte kombi,
por principata. Coptimi kombëtar dhe jo unifikimi i tij. Por ka disa vite që kjo hapsirë mbarëshqiptare, ku më shumë dhe ku më pak po bën kapërcimin e madh të kalimit nga Pluralizëm Krahinor në Pluralizem Politik. Me vështirësi, por progresi duket, është i pranishëm. Dhe thelbi i Pluralizmit Politik është Shteti-Komb dhe jo shteti-multikomb apo shteti-principatë apo edhe shteti pa komb.

E Pesta: Në Shqipëri po ndërtohet Rruga Durrës-Prishtinë. Eshtë një emërtim me kuptim të disafishtë. Por gjithsesi është një imperativ që ngrihet mbi çdo lloj interesi partiak, mbi çdo lloj zgjedhjesh dhe që kapërcen të gjitha grindjet dhe sherret politike
Kuptimi I parë ka të bëjë me rrugën që duhet ndjekur për sendërtimin e Shqipërisë Natyrale. Që do të thotë se krahas politikës dhe diplomacisë publike, shqiptarët po mësojnë gjithmonë e më mirë të aplikojnë politikën dhe diplomacinë reale. Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe ideve po sjell në mënyrë të natyrshme edhe largimin nga folkpatriotizmi, por edhe afrimin tek identiteti i përbashkët kombëtar. Shqiptarët gjithnjë e më pak kanë nevojë për mite dhe legjenda për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar. Këtë ata po e bëjnë nëpërmjet njohjes reale, kulturës reale, gjuhës reale, politikës reale dhe ndjenjave reale. Ky është një proces i pakthyeshëm. Eshtë progresiv dhe europeist. BE nuk pranon popuj mitikë, por popuj reale. Nuk pranon kombe legjendash, por kombe reale. Nuk pranon shtete që ekzistojnë vetëm në këngë, por shtete që ekzistojnë realisht dhe kontribuojnë realisht. Dhe shqiptarët duke e njohur mire këtë kërkesë të BE, janë nisur në rrugën e pakthyeshme të Shqipërise Natyrale.
Ndërsa kuptimi i dytë ka të bëjë me një rrugë konkrete që do të lidhë Shqipërinë me një nga pjesët kryesore të saj, Kosovën. Kjo rrugë ka filluar të ndërtohet. Duket se kjo do të jetë «Rruga» e Shqipërisë Natyrale. Nuk ka shumë rëndësi se si po quhet sot, nuk ka shumë rëndësi se kush financion. Nuk ka fare rëndësi kush e nisi dje, kush e vazhdon sot dhe kush do ta përurojë nesër. E rëndësishme është se kjo rrugë do te zvogëlojë figurativisht dhe realisht Shqiperinë e Madhe dhe do të jetë pararoja e Shqipërisë Natyrale.
E gjashta:Shqiptarët nuk dëshirojnë të jenë vetëm zjarrfikës të rajonit, ata duan të shndrrohen në paqebërës. Është një kërkesë e drejtë dhe e nevojshme për tu artikuluar nga ana e tyre. Artikulimi duhet bërë në mjedisin rajonal dhe atë europian. Është një artikulim i cili merr për bazë një realitet dhe synon të rregullojë një paradoks. Cilin? Përgjatë 15 viteve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka thirrur në ndihmë shtetin shqiptar, politikën e Tiranës. Kur? Sa herë ka patur protesta, kryengritje, luftë çlirimtare në hapsirën shqiptare në Prishtinë, Tetovë apo Preshevë. Ndihma është kërkuar për të qetësuar situatën, për të civilizuar kryengritjen. Dhe Shqipëria e ka kryer detyrën e saj. Ajo ka treguar se është një regjisore e mirë. Por sa është qetësuar situata, Tiranës i është kërkuar të qëndrojë larg Prishtinës, Tetovës apo Preshevës. Përse? Eshtë përdorur një argument absurd. Eshtë kërkuar largësi, për të mos u akuzuar gjoja për Shqipëri të Madhe. Dhe Politika shqiptare përgjithësisht e ka pranuar këtë. Kësisoj, Tirana ka pranuar rolin e zjarrfikësit, duke mos kërkuar atë që ka realisht: rolin e paqebërësit. Shndrrimi në paqebërës, mos pranimi i Shqipërisë së Madhe dhe përballimi i Shqipërisë Natyrale, do ta shndrrojë Tiranën në kryeqëndrën e hapsirës shqiptare.
Jane gjashte arsyete forta, bazale dhe të mjaftueshme qe te japin siguri se shqiptaret do te bashkohen. Europeizem do te thote bashkim. Otomanizem do te thote ndarje.