|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
| | Tumoret janë shumë të përhapura tek njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Përveç gurëve edhe tumoret duhet të trajtohen, sipas specialistëve, me bimë mjekësore të cilat duhet të përdoren në formën e lëngjeve. Për të evituar problemet me veshkat është e rëndësishme që çdo njeri, pavarësisht faktit nëse është i sëmurë apo jo, duhet të konsumojë të pakën 2 litra ujë në ditë. | Karcinoma renale Njihet edhe si “karcinomë me qeliza boshe” ose si hipernefromë. Ai është tumor malinj më i shpeshtë i veshkave dhe prek më shumë meshkujt, që pinë duhan, rreth moshës 50-70 vjeç. Shenjat kryesore janë hematuri, masë e prekshme, dhimbje në ije, temperaturë, policitemi. Biopsia mund të mos mjaftojë për të vendosur diagnozën e kancerit, sepse pamja e karcinomës renale mund të ngjajë me pamjen e tumorit beninj. Tipar i veçantë i karcinomës renale është përhapja përgjatë venave renale dhe venës kava. Trajtohet me kirurgji, imunoterapi me IL-2. Tumori Wilms Është më i shpeshti tumor malinj i veshkave në fëmijë. Mosha më e prekur është 2-4 vjeç. Shenjat janë një masë abdominale, shpesh shumë e madhe dhe trajtohet me nefrektomi dhe kemoterapi me ose pa rrezatim. Mund të jetë pjesë e kompleksit WAGR, ku bën pjesë tumori Wilm, Aniridia, ka keq-formime gjenitourinare, prapambetje mendore. Gjithashtu shoqërohet me hemihipertrofi të trupit. Pamjaftueshmëria prerenale e veshkave është pasojë e mosfurnizimit me gjak të veshkave; shkaktohet nga hipovolemia, sepsisi, pamjaftueshmëria e zemrës, cirroza, stenoza e dyanshme e arterieve renale, shoku. Ndërkohë që pamjaftueshmëria renale (brendarenale) e veshkave është pasojë e patologjisë së veshkave: Shkaktohet nga procese si nekroza tubulare akute, ishemia e zgjatur (d.m.th pamjaftueshmëria prerenale mund të kthehet në pamjaftueshmëri renale), glomerulonefritet, sëmundjet tubulare/intersticiale, precipitimi i kristaleve në tubula. Pamjaftueshmëria postrenale e veshkave është pasojë e bllokimit të rrugëve urinare; shkaktohet nga prostata e zmadhuar, gurët, cikatricet/strikturat, gjaku i mpiksur, kirurgjia (sidomos histerektomia) Simptomat Shenjat dhe simptomat: Hiperkalemi, acidozë metabolike, oliguri. Diagnoza është eozinofiluria dhe tregon nefrit alergjik (tubulointersticial) ose embolizëm atherosklerotik. Prania e segmenteve eritrocitike tregon glomerulonefrit. Trajtimet që mund të parandalojnë formimin e gurëve në veshka janë të mundshme në çdo rast. Prova të qëndrueshme sugjerojnë se marrja e lëngjeve në sasi të madhe mund të ulë rrezikun e gurëve. Përveç kësaj, sapo të zbulohet shkaku i formimit të gurit, mund të përdoren mjekime të ndryshme apo ndryshime në dietë për të parandaluar gurët e rinj. Tipi i mjekimit varet nga gjaku dhe testet e urinës, përveç se zbrazni mbeturinat dhe lëngjet nga trupi juaj. Shenjat dhe simptomat: 1. Sistemi tretës: Anoreksi, pështjellim, të vjella. 2. Gjaku: hemorragji si pasojë e keqfunksionimit të trombociteve. 3. Çrregullime të volumit intravaskular që janë pasojë e humbjes së aftësisë të veshkave për të rregulluar përqendrimin e urinës. 4- Anemia është pasojë e mosprodhimit të eritropoetinës. 5-Djersitje e vazhdueshme. 6-Fryrje e trupit. 7-Ethe. 8-Dobësi. 9-Urinë e turbullt me erë të keqe. 10-Temperaturë. Bimët mjekësore: 1-Trëndafil i egër. 2-Kamomil. 3-Lëng kumbullash. Roli i veshkave për organizmin Veshkat tuaja luajnë një sërë funksionesh të rëndësishme: Rregullojnë ujin në trup dhe përbërës të tjerë kimikë në gjak si: Sodiumin, potasin, fosforin dhe kalciumin; largojnë mjekimet dhe helmimet nga trupi juaj; çlirojnë hormonet në gjak për të ndihmuar trupin; rregullojnë presionin e gjakut; krijojnë qelizat e kuqe; nxisin kockat e forta. Pjesa më e madhe e gurëve në veshka mund të trajtohet duke rritur sasinë e marrë të lëngjeve, ndryshime në dietë dhe mjekime. Rreth 90% e gurëve, kalojnë vetë brenda 3 deri 6 javëve. Disa tipa gurësh mund të shpërbëhen me anë të mjekimeve; megjithatë, gurët me përbërje kalciumi (tipi më i zakonshëm), nuk mund të shpërbëhet. Gurët gjithmonë duhet të hiqen kur ka infeksione, bllokime dhe dëmtime në veshka. Kur heqja e tyre bëhet e domosdoshme, ekzistojnë disa metoda të ndryshme për ta bërë këtë. Metodat për heqjen e gurëve Metoda më e mirë varet nga masa, vendndodhja dhe tipi i gurit. Disa gurë hiqen duke kaluar një instrument teleskopik tek fshikëza apo tek veshka, për ta nxjerrë gurin ose për ta copëtuar në fragmente të vogla me rreze lazeri apo valë tronditëse. Instrumenti teleskopik mund të futet drejtpërdrejtë në veshkë përmes një çarjeje të vogël në anën e pacientit për ta nxjerrë gurin të tërë ose atëherë kur duhet thyer në fragmente të vogla. Metoda më e re për ta hequr quhet “litotripsia e valëve të goditjes jashtë trupit (ESËL). Në këtë teknikë, gurët thyhen në fragmente të vogla me anë të tronditjes me energji të lartë nga një mekanizëm jashtë trupit. Meshkujt, më shume gurët në veshka Gurët në veshka janë më të zakonshme tek burrat dhe më saktësisht, katër në pesë raste kanë gurë në veshka. Normalisht, urina përmban substanca që parandalojnë formimin e kristaleve. Megjithatë, kjo nuk funksionon për të gjithë. Disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e gurëve tek njerëzit e prekshëm janë: Marrja e pakët e lëngjeve, infeksione kronike në rrugët urinare. Rreth 80% e kancereve të veshkës janë karcinoma qelizore renale, ky tip kanceri mendohet të ketë lidhje me moshën, pasi haset tepër rrallë nën 40-vjeçarët. Tumoret beninje të veshkave mund të rrijnë në trup si të padëmshëm. Tumoret malinje shpesh janë në stad të avancuar kur ne i zbulojmë e në përgjithësi nuk i përgjigjen mirë trajtimit mjekësor. Për këtë arsye, veshka e sëmurë zakonisht hiqet në një nefroektomi. Rrezet X vijne nga kristalet e gurët Prezencën e gurëve në veshka e identifikojnë rrezet X. Teknikat e specializuara të rrezeve X (ndonjëherë edhe me injeksione me ngjyrë) apo me ultratinguj, mund të përdoren për të identifikuar më me saktësi masën dhe vendndodhjen e gurëve, dhe për të identifikuar funksionimin e veshkave. Testet e gjakut dhe urinës mund ta ndihmojnë një doktor për të gjetur se çfarë po e shkakton gurin dhe të planifikojë trajtimin më të mirë. Pjesa më e madhe e personave që kanë probleme me veshkat dhe kryesisht me gurët në veshka, vijnë nga prindër që kurrë nuk i kanë ndjerë shqetësimet, madje pavarësisht moshës në të cilën ndodhen veshkën e kanë organin më të shëndetshëm. Ajo çfarë specialistët u rekomandojnë të gjithë prindërve në këtë rast, është një dietë e ekuilibruar që në ditët e para të lindjes së fëmijës, madje ajo duhet të nisë që në barkun e nënës. Marre nga : Gazeta TiranaObserver
|
|
|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
Shqiptari shpik qesen plastike që nuk ndot mjedisin | Një produkt kimik në SHBA merr emrin e kimistit korçar, Mirel Sharrëxhi. Kush është Sharrëxhi dhe si emigroi në tokën amerikane | Një produkt që zëvendëson qeset e plastmasit dhe një sërë nënproduktesh të naftës, si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit, që së shpejti do të pushtojë tregjet, është “pagëzuar” me emrin e një kimisti shqiptar, i cili është edhe shpikësi i tij. Kompania “Metabolix” dhe gjiganti ADM shpallën disa ditë më parë, në një konferencë të përbashkët shtypi në Massachusest Institute of Technology (shkolla më e mirë në botë, që është cilësuar si djepi i teknologjisë botërore), që materialit plastik t’i vihet emri MirelTM. Ky produkt i ri, që mori emrin e kimistit korçar, Mirel Sharrëxhi, konsiderohet si një alternativë ndaj plastikave tradicionale të prodhuara nga nafta. Por “MirelTM” ka përparësinë që shpërbehet në dioksid karboni dhe ujë pa dëmtuar mjedisin. Kimisti korçar, Mirel Sharrëxhi, ka shkuar në SHBA në vitin 1997 dhe pas disa specializimeve të kryera, në vitin 2000 vendoset në Cambridge, Boston. Ai punësohet nga prof. Oliver Peoples dhe bëhet pjesëtar i ekipit të tij në kompaninë “Metabolix”. Qëllimi i kompanisë është të prodhojë në mënyrë industriale produktin e cilësuar si “çudibërësi”plastik, që nuk ndot ambientin dhe zëvendëson produktet plastike të prodhuara nga nafta. Produkti “MirelTM” Sasia e madhe e mbetjeve urbane, të krijuara nga ambalazhet plastike me prejardhje nga nafta në SHBA, por edhe në gjithë globin, konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj, pas automjeteve. Kjo pasi këto lëndë e ndotin mjedisin edhe kur dekompozohen. Për këtë qëllim, në SHBA, prej disa vitesh kishin filluar studimet për zëvendësimin e tyre me një lëndë që nuk lë pas ndotje. Dhe vetëm para disa ditësh, “Metabolix Inc. MBLX”, një kompani udhëheqëse në përdorimin e bioshkencës për të gjetur metodika të pastra dhe kohëgjata për plastikat, karburantet dhe kimikatet, bashkë me kompaninë “ADM”, edhe kjo një firmë e njohur në tregjet botërore, shpallën nxjerrjen e produktit të ri Mirel (TM) Plastik Natyral, ku natyrisht kontributin më të madh për këtë produkt e ka dhënë edhe kimisti shqiptar Mirel Sharrëxhi. Në komunikatën zyrtare të kompanisë thuhet se “MirelTM” mund të përdoret si një alternativë e plastikave të formuara nga nafta në shumë procese konvertuese, duke përfshirë format plastike me injeksion, letrën me shtresë të hollë plastike, shtresat e holla në formë filmi. “Metabolix” është duke punuar për 60 aplikime, duke përfshirë produkte të konsumuesve: qese, gota, paketime, produkte që përdoren vetëm një herë, produkte që përdoren në agrikulture etj. Kush është Mirel Sharrëxhi Shkencëtari nga Shqipëria ka lindur më 28 mars 1967 në qytetin e Korçës. Ka mbaruar shkollën e mesme për teknologji-kimike në qytetin e Elbasanit dhe më pas studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Kimi Industriale. Gjatë viteve të tranzicionit ai nuk mundi ta ushtronte profesionin në Shqipëri, pasi dihet situata e industrisë kimike. Në vitin 1997 emigron në SHBA. Fillon punë si kimist analitik në kompaninë “Emerson and Cumming”. Në vitin 2000, profesor Oliver Peoples i ofron një punë të përkohshme në kompaninë e sapoformuar “Metabolix”, me qendër në Cambridge, Massachusets. Pas tre muajsh, duke parë përkushtimin e tij, ai i ofroi punë të përhershme si kimist analitik. Në vitin 2007 mbaron “Masterin” në degën e Kimisë në Universitetin e Massachusetsit dhe konsolidon pozitën si drejtues i grupit analitik në kompani. Ai, së bashku me stafin e kompanisë kryejnë shpikjen e produktit kimik, që merr emrin e kimistit shqiptar. Kjo do të ketë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit, pasi çdo vit i gjithë planeti ndotet nga miliarda tonelata lëndë plastike. Roland Beqiraj - Gazeta Albania |
|
|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
Si i kopjuan evropianët urat e varura të inkasve | Çfarë i solli civilizimit teknologjia e peruanëve të vjetër, të cilët ndërtonin me bimë e drurë | Kolonizatorët nga Spanja shkuan në Amerikën e jugut dhe kur mbërritën atje thonë se mbetën pa fjalë. Ata kurrë nuk kishin parë në Evropë ura si ato të Perusë. Kronikanët e asaj kohe shkruanin se ushtarët spanjollë u tmerruan për vdekje kur u vunë përpara kushtit për të kaluar mbi këto ura bërë prej bimësh zvarritëse, që lidhnin rrëpirat e thella të Andeve. Ende në kohën e kolonive, urat e varura të inkasve ishin shumë të rëndësishme dhe ato ishin pjesë e kulturës së Andeve edhe në qindvjeçarin kur në tokën e tyre mbërritën spanjollët, pra më 1532. në këto vende nuk ishte e njohur praktika e ndërtimit të urave prej guri ose mjetet me rrota, por ata ishin përshtatur përsosmërisht në përpunimin e fibrave bimore për tekstile, varka dhe armë si dhe ishin mjaft të familjarizuar me sistemin me nyje, për matjen e largësive. Kështu urat e bëra prej litarëve të fibrës, aq të trashë sa busti i një njeriu, ishin një zgjidhje teknologjike, sepse inkasit jetonin në një terren të rrëshqitshëm ku nuk mund të zhvillohej ndërtimi me gurë. Sipas disa përcaktimeve, në territorin e Perusë së sotme kishte të paktën 200 ura të varura deri në shekullin e 16-të. Ndonjëra prej tyre u bë edhe njohur përmes letërsisë; shkrimtari Thornton Uilder fliste për një urë të tillë në lumin Apurimac, në një nga novelat e tij. Gjithashtu studjuesit janë marrë me sistemitn e rrugëve në qytetërimin e Inkasve, në periudhën para Kolumbiane. Xhon Oshendorf nga Instituti i Teknologjisë së Masaçusetsit thotë se historianët dhe arkeologët e kanë lënë pas dore rolin e urave në qytetërimet e vjetra. Kërkimet e Oshendorfit në fushën e urave të varura inkase, filluan ndërsa ai ishte ende student në Universitetin e Kornelit, teksa i duhej të ilustronte për një detyrë kursi të inxhinierisë me drejtim arkeologjik, ku qëllimi ishte të kombinoheshin njohuritë shkencore, të eksperimentohej duke u mbështetur në atë që dihej dhe në vrojtimin e asaj çka ishte tradicionale në këtë fushë, pa harruar të dhënat e zbulimeve arkeologjike. Shumë bashkëstudentë të tij u morën me këtë temë, por për studjuesin urat e varura u bënë qëllimi i jetës. Materialet e eksperiencës njerëzore Tashmë, pas kërkimesh dhe studimesh të gjata, studentët e sotëm janë duke ndërmarrë një detyrë hetuese që përfshin gjetjen e çelësit të teknologjieve të lashta të ndërtimit, detyrë që fillon me hetiemt nga mënyra se si mund të jenë ndërtuar piramidat e Egjiptit e që shkon deri tek urat e varura peruane. Ky lloj kursi që quhet tashmë “Materialet e eksperiencës njerëzore”, ka filluar të projektojë në ditët tona, ndërtime të ngjashme me ato të të stërgjyshërve tanë, që i përdornin me lehtësi këto mjete të natyrës. Kursi i studentëve amerikanë që merren me studimin e teknologjive të lashta të ndërtimit, është duke përgatitur tashmë një pjesë ure të varur, njëlloj si ato të inkasve të dikurshëm. Studntët kanë arritur të ndërtojnë një gjatësi prej më shumë se 18 metrash. Ata po përpiqen të ndërtojnë në kampusin e universitetit një urë eksperimentale këtë fundjavë. Ura do të lidhë dy nga ndërtesat uiversitare dhe të kalojë mbi një basen të thatë midis. Teknologjia që u kopjua Në rastin e urave të varura perune vetë spanjollët e pohuan se sa kuptimplote dhe komode ishte kjo teknologji për rrethanat dhe burimet që inkasit kishin. Ata jetonin në harmoni me natyrën dhe pikërisht kjo harmoni demonstrohej edhe në urat e tyre. Vetë spanjollët, e vlerësuan së tepërmi këtë mënyrë ndërtimi të inkasve. Dr. Oshendorf, specialist i arkitekturës dhe inxhinierisë së lashtë, thotë se qeveritë e kolonizatorëve filluan të praktikonin në Evropë këtë lloj ndërtimi, për të lidhur brigjet e kanioneve. Por ndërtiemt e tyre dështuan, derisa në teknikën e ndërtimit të urave hynë materialet si hekuri dhe çeliku. Njohuritë peruane nuk kishin fare lidhje me teknikat evropiane të ndërtimit, por peruanët njihnin mirë matrialet e tyre dhe forcën e rezitencën e tyre. Ata i njihnin përsoshmërisht fibrat e bimëve të mjedisit të tyre dhe bazoheshin tek kjo njohuri. Fibra pambuku, bari, fidanësh, lëvore dhe shkopinj si dhe fije të holla si lesh, që ishin mbështjellëse bimësh, u bënë materialet e tyre bazë për të krijuar urat e varura. Urat e varura inkase ishin të gjata deri në 45 metra, mbase edhe më të gjata. E kjo gjatësi isht absolutisht më e madhe se e çdo ure evropiane në kohën kur ato u zbuluan nga kolonizatorët. Ura romake më e gjatë në Spanjë asokohe ishte maksimumi më pak se 30 metra. Dhe asnjëra nga urat e ndërtuara deri atëherë në Evropë nuk kishte lidhur kanione aq të thella sa ato që lidhinin urat e inkasve. Evolucioni i ndërtimeve Peruanët duket qartë se e kanë zhvilluar shpikjen e tyre të fibrave si materiale ndërtimi për urat e varura, krejt të pandikuar nga kultura të tjera. Por ndërtimet e mëvonshme të urave të varura u dedikohen atyre dhe prandaj nuk mund të quhen arritje krejt të pandikueshme të botës moderne, thotë Dr. Oshendorf. Ai ka parasysh urat e Amerikës moderne, e sidomos urat e njohura në SHBA. Ai shkruan: “ Inkasit janë i vetmi qytetërim i lashtë amerikan që zhvilluan ura të varura. Siteme të ngjashme urash të varura ekzistojnë edhe në rajone të tjera të botës, për shembull, ndër më të njohurat janë ato në Himalajë dhe në Kinën e lashtë, ku ura e parë e varur me zinxhirë hekuri, ekzistonte që në shekullin e tretë përpara Krishtit”. Versioni i parë modern i urës së varur u ndërtua në Britani në fund të shekullit të 18-të, në fillim të revolucionit industrial. Më e gjata urë e tillë në ditët e sotme është ajo që lidh dy ishuj të Japonisë, me një gjatësi më shumë se 1800 metra. Ajo dhe urat e llojit të saj mund të quhen pa frikë rrugë të varura dhe jo ura të varura. Ato ndërtohen mbi kulla mbështetëse, që vendosen në konstruksion në disa pika e kanë gjithashtu sisteme portative për të ulur dhe ngritur krahët, në varësi të tafikut. Olimbi Velaj - Gazeta Metropol |
|
|
|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
Rasim Vrioni, stomatologu që të heq frikën nga dentisti | Tani nuk duhet të kemi më frikë nga dentisti. Për herë të parë në Shqipëri, stomatologu i famshëm Rasim Vrioni ka sjellë nga Turqia një pajisje që të shton të qeshurat, të çlodh dhe të bën të harrosh dhimbjen. | Ai ka më shumë se një vit që merret vetëm me studimin teorik për të mësuar mënyrën sesi funksionon ajo dhe për të sjellë një tjetër risi në stomatologjinë shqiptare, pas asaj që solli në heqjen e dhëmbëve me metodën e hipnozës. Të gjithë ata që e njohin Vrionin e dinë se dora, por edhe syri i tij, shëron. Mjeshtri është gjithmonë në kërkim të përmirësimit të punës së tij dhe këtë e dëshmon fakti që fill pas një muaji do të aplikojë metodën e sedacionit për pacientët që i kanë fobi dentistët. ”Që tani kam pacientë të interesuar dhe që mezi po presin fillimin e aplikimit të kësaj metode”, - thotë ai. Ndërkohë, pajisjen, që kushton disa mijë euro, Vrioni e ka blerë në Turqi dhe është për t’u admiruar fakti që në një vend si Turqia, me gati 70 milionë banorë, këtë pajisje e përdorin vetëm gjashtë klinika, katër universitare dhe dy private, ndërsa klinika e shtatë është ajo e Rasimit. Kur ka filluar të përdoret kjo metodë Doktor Vrioni sqaron se “kjo është një metodë që ka filluar të përdoret para 100 vjetëve në vendet skandinave, sidomos në Danimarkë, që përdoret qysh prej vitit 1930, ndërsa në SHBA filloi të përdorej më 1960-n e më pas u përhap në mbarë botën. Lënda që përdoret është përzierje gazrash, protoksid azoti (N2O) me oksigjen (O2). Nuk ka asnjë efekt anësor dhe i shfaq efektet brenda 2-3 minutash. Mund të përdoret me siguri tek fëmijët e të gjitha moshave. Në SHBA, 25 për qind e pacientëve nuk pranojnë të shkojnë tek një dentist që nuk aplikon sedacionin”. Avantazhet e sedacionit krahasuar me metodën hipnotike Nëse heqja e dhëmbëve me anë të hipnozës nuk mund të përdoret tek të gjithë personat (ka vështirësi në përdorimin e kësaj metode tek njerëzit me aftësi të kufizuara, ndërkohë që ka edhe njerëz që nuk u bën efekt), sedacioni është një alternativë e re që doktor Vrioni e sjell pikërisht për të mbushur ato hapësira tek të cilat është e pamundur ndërhyrja me anë të hipnozës. Ai pohon se sedacioni është i përshtatshëm sidomos për fëmijët dhe personat që i kanë fobi dentistët dhe është shumë i thjeshtë si praktikë pune. Për doktor Rasimin, lehtësimi i dhimbjeve apo heqja e frikës së llojeve të ndryshme te njerëzit është një mundësi për t‘i ndihmuar ata. Si funksionon sedacioni “Ka një pajisje të veçantë, nëpërmjet së cilës merret përzierja nga hunda. Efekti ndodh menjëherë pas 2-3 minutash. Pacienti e ndien veten më të çlodhur, i ndien gjymtyrët më të lehtësuara, është paksa i çorientuar, hyn në një gjendje ëndrrash edhe pse është me sy të hapur dhe flet. Gjatë gjithë kohës është i ndërgjegjshëm, sytë i ka hapur dhe kjo përzierje është ndryshe nga narkoza që përdoret në spital. Me mbarimin e seancës pacienti pëson amnezi të pjesshme, d.m.th. harron çfarë ka ndodhur gjatë seancës”, - sqaron Vrioni. Për çfarë shërben Për heqjen e frikës, ankthit, jep efektin sikur koha kalon shpejt dhe harresën e pjesshme. Është metoda ideale për fëmijët e vegjël që kanë frikë nga dentisti, por edhe për personat që kanë frikë gjilpërat. Klinika e të veçantave stomatologjike Me të drejtë klinika dentare e doktor Vrionit quhet “e gjërave të veçanta”. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri, ai përkujdeset sidomos për relaksin e pacientëve, të cilin e arrin me ambientin e krijuar përmes kombinimit të ngjyrave dhe muzikës. “Mënyrat që përdoren për qetësimin, sqaron ai, janë direkte dhe indirekte. Tek indirektet hyn rregullimi i ambientit, futja e një muzike të lehtë në sfond, e cila e qetëson pacientin dhe rrit efektin e anestezisë deri në 60 për qind. Ndërsa si mënyra direkte përdor hipnozën dhe së shpejti sedacionin”. Mjeshtri thotë se për çdo njeri, terapia e hipnozës është e ndryshme në varësi edhe të problemeve që ka. “Në shumë vende të tjera, shton Vrioni, kjo është një gjë krejt normale, por në Shqipëri njerëzit kanë opinione shpesh të gabuara apo sipërfaqësore”. Duke qenë se është një nga mjekët e vetëm që përdorin metodën e hipnozës dhe së afërmi edhe atë të sedacionit, ai ka arritur që t’i ofrojë stomatologjisë shqiptare një revolucion të vërtetë. Kjo për faktin se në Shqipëri, hipnoza mjekësore i pati fillimet e saj në vitet ’50, në sajë të shkollës dhe mjekëve sovjetikë. Më vonë ajo u la në harresë dhe nuk pati përdorim të gjerë”. Sipas Rasimit, mjeku që ka bërë më shumë punë në këtë drejtim është Prof. dr. Ylvi Vehbiu. Ndërsa metodën e re të sedacionit, ai do të jetë i pari që do ta aplikojë. Ndërsa një e veçantë në punimet e tij estetike janë edhe dhëmbët e xhamit, me përmbajtje xhami 65 për qind dhe 35 për qind pluhur porcelani, ndërkohë që janë 80 për qind transparent, në mënyrë që syri i njeriut të mos e dallojë ndryshimin e tij me një dhëmb natyral. “Në botë është e vetmja zgjidhje dhe preferohet më shumë nga artistët që janë të ekspozuar ndaj publikut”, - thotë Vrioni. Stomatologu që të shëron me sy Në tiparet e Rasimit, në atë fytyrë mjaft të qetë dhe shumë miqësore, ku është fare e lehtë të dallosh një aftësi vetëkontrolli të admirueshme, nuk ka se si të mos vësh re sytë. Jo fort të mëdhenj, por shumë të hapur, ku qepallat ulen e ngrihen më rrallë se te personat e tjerë, për të cilat vetë Rasimi thotë se i janë bërë pjesë e jetës si pasojë e profesionit. Prej disa kohësh ai përdor metodën e hipnozës, e cila është një gjendje e veçantë në të cilën vëmendja dhe shkalla e përqendrimit si edhe e sugjestionimit është shumë e lartë. Personi i hipnotizuar duket sikur fle, ndërkohë që ai është plotësisht i ndërgjegjshëm dhe truri punon normalisht. Gjatë seancës së hipnozës pacienti kupton, dëgjon dhe analizon çka i thotë mjeku. Vetë doktor Rasimi përdor metodën e hipnozës së ndërgjegjshme, për të cilën sqaron se u formulua dhe zhvillua nga kirurgu turk Dr. Hysni Ozturk. “Avantazhi i hipnozës së ndërgjegjshme është se pacienti hyn shumë shpejt në gjendjen hipnotike, (3-5 min) dhe gjatë seancës është i ndërgjegjshëm. Unë kam pasur fatin e mirë që ta mësoj dhe praktikoj hipnozën pranë dr. Ali Eshref Myezinoglu, pasardhës i dr. Ozturkut dhe aktualisht kryetar i Shoqatës së Hipnozës Mjekësore në Turqi. Unë, si ndjekës i shkollës së dr. Ozturkut, në klinikën “Tuttestetika”, përdor hipnozën e ndërgjegjshme në trajtimin e problemeve të ndryshme”, - sqaron Vrioni. Kur përdoret hipnoza "Hipnoza duhet të përdoret nga mjekët dhe psikologët", - thekson Rasimi dhe në raste kur ajo është e domosdoshme dhe e ndihmon pacientin që të kalojë situata të vështira. Ndërkohë, kontaktin e parë me hipnoterapinë Rasimi e ka pasur në Universitetin e Stambollit në Turqi, ku edhe ka studiuar për Stomatologji Estetike. Edhe pse mjaft i ri në moshë, Rasimi shprehet se pacientët e tij shfaqin besim në punën që ai kryen dhe kjo është një gjë mjaft e rëndësishme. "Paraprakisht unë u jap informacion njohës për hipnozën mjekësore pacientëve dhe janë ata që vendosin nëse do ta përdorin ose jo këtë metodë", - tregon ai. Por jo çdo njeri mund të provojnë eksperiencën e hipnozës. "80 për qind e njerëzve hyjnë në këtë terapi dhe përjetojnë një nga tri gradat e gjendjes hipnotike. Dhe vetëm 20 për qind e njerëzve mund të përjetojnë gjendjen më të thellë të saj, atë somnambulistike. Sipas tij, personat më të përshtatshëm janë ata që përqendrohen mirë dhe kanë aftësi imagjinatave të mira e të zhvilluara. Ai shton se fëmijët nën 6 vjeç dhe njerëzit shumë të moshuar nuk mund të hyjnë në hipnozë, edhe për shkak të vështirësisë së komunikimit me ta, por me ta fare mirë mund të përdoret metoda e sedacionit. Manjola Lumani - Gazeta Albania |
|
|
|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
10 muzetë më të çuditshëm në Amerikë | Njerëzit ruajnë sende dhe objekte të çuditshme, madje disa prej tyre i ruajnë me fanatizëm gjëra që të tjerët do ti hidhnin. Fjala e urtë Plehrat e dikujt, janë thesari i dikujt tjetër nuk iu reziston më kot kohërave. Edhe për këtë arsye koha ka kërkuar dhe ndërtimin e muzeve të veçantë për të ruajtur këto sende të pazakonta. | Përveç muzeve të arteve të bukura, muzeve historikë dhe atyre arkeologjikë, ekzistojnë dhe muze të Historisë së Funeraleve, Muze të Historisë së Ekzekutimit dhe shumë të tjerë. Amerika mban vendin e parë në botë për muzetë e çuditshëm. Madje në çdo shtet të saj do të gjeni një të tillë. Edhe pse askujt prej nesh nuk i shkon ndër mend të vizitojë një të tillë, ndoshta do të bëheshim kureshtarë të hynin, nëse ndodhemi aty pranë, vetëm nga emri që mbajnë. Revista “Neotorama” ka listuar 10 muze të çuditshëm, duke i përzgjedhur mes të shumtëve. Disa prej tyre janë ndërtuar që në shekullin e 19-të dhe vazhdojnë t’iu rezistojnë kohërave. Vendin e parë e mban muzeu i një kompanie ushqimore. Vendin e dytë e mban Muzeu i Arkivoleve, në të cilin mund të bëhen dhe porosi për arkivole të veçantë, enkas për ju. Lista 1. Muzeu “SPAM”, Minesota 2. Muzeu Kombëtar i Historisë së Funeraleve, Hjuston 3. Muzeu i endacakëve, Ioua 4. Muzeu “Mütter”, Filadelfia 5. Muzeu “Barnum”, Konektikat 6. Muzeu i komploteve, Teksas 7. Muzeu i mjeteve mjekësore të dyshimta, Minesota 8. Muzeu i pesticideve të insekteve, Alabama 9. Muzeu i kukullave që flasin, Florida 10. Muzeu i plehrave, Konektikat 10 muzetë më të çuditshëm në Amerikë Muzeu “SPAM” Ky muze ndodhet në Austin, Minesota. “Spam” në të vërtetë është emri i një kanaçeje me mish të konservuar. Reklama që ky muze i bën vetes është “e mund dhe muzeun e arteve”. Kompania e ushqimeve “Spam” e ka hapur në vitin 2001 dhe aty do të gjeni më shumë se 5 mijë kanaçe “Spam”. Muzeu Kombëtar i Historisë së Funeraleve Është pak e vështirë të argumentosh moton “Çdo ditë mbi tokë është një ditë e mirë”. Kjo është dhe moto e këtij muzeut, një ndërtesë në Hjuston që u hap në vitin 1992. Muzeu mburret me një koleksion arkivolesh me format nga më të ndryshmet. Muzeu i endacakëve Ky muze ndodhet në Britt, Ioua. Muzeu “Hobo” ruan të detajuar historinë dhe kulturën e endacakëve. Ky muze nuk është i hapur gjatë gjithë vitit, por vetëm gjatë Kongresit të përvitshëm endacakëve. Gjatë vitit organizon dhe ture sipas kërkesave. Muzeu “Mütter” Fillimisht, kolegji i fizikanëve të Filadelfias ndërtoi muzeun si një mënyrë krijuese për të informuar studentët e mjekësisë dhe fizikanët për disa nga fenomenet më të pazakonta mjekësore. Në të gjenden bebe me dy koka dhe shtylla kurrizore më e madhe në botë. Muzeu “Barnum” Muzeu është hapur më 18 shkurt, 1893 dhe qëndron i hapur edhe sot. muzeu “Barnum” ruan dhe interpreton historinë industriale dhe sociale të Bridgeport, Konektikat. Mes të tjerave brenda do të gjeni një cirk në miniaturë dhe një copë tortë 100-vjeçare. Muzeu i komploteve Ekziston më shumë se një teori për vrasjen e John F. Kennedy, prandaj ekzistojnë dhe shumë muze të tilla. Muzeu 6-katësh ndodhet në Teksas. Brenda do të gjeni dokumentarë dhe filma që shpjegojnë teoritë e vrasjeve të ndryshme. Muzeu i mjeteve mjekësore të dyshimta Ky muze i veçantë mban gjithfarë mjetesh të profesionit të mjekësisë. Ai ndodhet në Minesota dhe brenda do të gjeni mumje egjiptiane, breshka me dy koka, fosile të ndryshme. Kjo foto që shihni është aparati i rinisë së përjetshme. Muzeu i pesticideve të insekteve Ajo që filloi si një magazinë për pesticidet kundër insekteve lulëzoi, dhe tani është një ndër muzetë e pakta në Amerikë që tregon përrallën e pesticideve. Vizitorët mund të mësojnë gjithçka për minjtë, buburrecat dhe merimangat. Muzeu i kukullave që flasin Ky është një ndër muzetë më të veçantë, pasi aty shkojnë të vdesin kukullat që flasin. Në të vërtetë kukullat nuk kanë as zë dhe as bateri. Ata që i bëjnë të flasin janë personat që flasin me bark. Ata nuk e lëvizin gojën, por nxjerrin një zë të brendshëm, që duket sikur del nga kukulla. Muzeu i plehrave Thënia e vjetër se plehrat e dikujt janë thesari i dikujt tjetër këtu merr më shumë kuptim. Muzeu i plehrave në Hartford, Konektikat ka në hapësirë prej 2 mijë metrash katror dhe është i mbushur me vepra arti të ndërtuara nga plehrat. Aurora Foto : Gazeta TiranaOberver
|
|
|
|
Kuriozitete -
Kuriozitetet
|
|
Monday, 16 July 2007 |
Martohet me të burgosurin e dënuar me vdekje | Një grua nga Nottinghamshire i Britanisë së Madhe është martuar me një amerikan i cili është një i burgosur i dënuar me vdekje, pasi ata të dy kanë shkëmbyer disa poezi bashkë. Tracy Morgan e filloi lidhjen e saj me James Morgan para katër vitesh. Ajo e vizitoi atë në burgun e Raleigh, të Karolinës së Jugut. | Pasi e takoi për pesë herë në burg, ajo vendosi të zhvendosjes me shtëpi në qytetin më të afërt të burgut. Morgan, i cili është 52 vjeç, është dënuar në nëntor të vitit 1997, pasi grabiti duke vrarë Patrina Lynette King, 34 vjeçe, nga Asheville. Zonja Morgan deklaroi rreth krimit se nuk ishte një pengesë për të, pasi ajo mësoi dhe gjeti të gjitha detajet rreth krimit. Burime nga departamenti i burgut në Karolinën e Jugut, deklarojnë se vetëm dy vetë kanë mundur të martohen gjatë kohës që kanë qenë të burgosur, por ky është i vetmi rast që martohet një i dënuar me vdekje.
Ndërsa oficerët e burgut e lejuan martesën e cila u bë në ambientet e burgut, kanë vendosur që të martuarit të takohen nga një orë e gjysmë në javë, por do të jenë gjithmonë të shoqëruar. Zonja Morgan tha se lidhja filloi pasi ajo i dërgoi poezi Morganit në burg. Dhe poezia titullohej "Ku është i dashuri im?". "Kur ai më ktheu përgjigje ishte shumë i prekur dhe më tha: - Asnjë në jetën time nuk më ka thirrur i dashuri im". Zonja Morgan ka planifikuar të jetojë në Raleigh me djalin e saj 15-vjeçar dhe shprehet optimiste se një ditë ajo dhe burri i saj do të jenë bashkë jashtë mureve të burgut. "Ne nuk dorëzohemi kurrë", thotë ajo. "Unë besoj që me ndihmën e Zotit, të gjitha gjërat janë të mundura". Marre nga : Gazeta TiranaObserver
|
|
|
|
|
<< Fillim < E pėrparshme 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 E ardhshme > Fund >>
|
| Rezultatet 56 - 66 nga 461 |